Ushtria ruse urdhërohet të zgjerojë ofensivën në të gjitha drejtimet në Ukrainë

Ushtrisë ruse i janë dhënë urdhra për të zgjeruar ofensivën e saj në Ukrainë “nga të gjitha drejtimet” pasi Kievi refuzoi të zhvillojë bisedime në Bjellorusi, thotë ministria e Mbrojtjes e vendit.

“Pasi pala ukrainase refuzoi procesin e negociatave, sot të gjitha njësive u dhanë urdhra për të zhvilluar avancimin nga të gjitha drejtimet në përputhje me planet e operacionit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ushtrisë ruse Igor Konashenkov.

Ndërkohë më shumë se 150,000 ukrainas janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit të Rusisë, tha komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët.

“Zhvendosja në Ukrainë po rritet gjithashtu, por situata ushtarake e bën të vështirë vlerësimin e numrave dhe dhënien e ndihmës”, shkroi Filippo Grandi në Twitter.