Banorëve të Kievit u janë shpërndarë 25,000 armë automatike, Rusia urdhëron ushtrinë të zgjerojë ofensivën

Teksa forcat ruse po avancojnë drejt qendrës së Kievit, autoritetet ukrainase thanë se u kanë shpërndarë qytetarëve mijëra armë.

Një total prej 25,000 armëve automatike si dhe 10 milionë fishekë janë shpërndarë, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrsky, përmes një videoje të publikuar të shtunën.

Ai po ashtu shtoi se edhe armë anti-tank janë shpërndarë.

“Kievi do ta mbrojë veten”, tha ai.

Monastyrsky tha se qytetarët po angazhohen vet që të mbrojnë shtëpitë e tyre.

Ndërkohë ushtarëve rusë u janë dhënë urdhra që të zgjerojnë ofensivën në Ukrainë “nga të gjitha drejtimet” pasi Kievi ka refuzuar që të zhvillojë bisedime me Moskën në Bjellorusi, tha të shtunën Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Pasi pala ukrainase refuzoi procesin e negociatave, sot të gjitha njësive u është dhënë urdhri të zhvillojnë avancim nga të gjitha drejtimet në përputhje me planet operacionale”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i ushtrisë ruse, Igor Konashenkov.