Aleatët diskutojnë bllokimin e Rusisë në "SWIFT", Turqia kërkon rol ndërmjetësues për armëpushim mes palëve
Në fillim shumë vende ishin kundër për të vendosur nxjerrjen e Rusisë nga sistemi SWIFT, por së fundmi Italia, vend i rëndësishëm i G7-ës, ka thënë se nuk do të vendos veto nëse merret ky vendim. Sistemi SWIFT është cilësuar si “bomba atomike” e sanksioneve, sepse e izolon totalisht Rusinë nga tregtia ndërkombëtare.
Ndërsa në terren ka luftime, kanalet diplomatike janë duke bërë punën e tyre për të negociuar një armëpushim mes palëve.
Homologët turk dhe rus kanë zhvilluar një bisedë telefonike mesditën e së shtunës, ku Turqia ka paraqitur ofertën e saj që të jetë negociatorja për një armëpushim mes palëve.
Në krah me diplomacinë ndërkombëtare, aleatët perëndimorë po diskutojnë për të ashtuquajturën “bomba atomike” e sanskioneve financiare, sistemi SWIFT.
Numri i vendeve aleate amerikane është duke u rritur për ta përjashtuar Rusinë nga sistemi SWIFT. Vetë presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të ketë pasoja të forta financiare pushtimi i Ukrainës nga ana e rusëve.
Përjashtimi nga sistemi SWIFT është arma më e fortë që kanë amerikanët dhe aleatët për këtë rast, ndaj edhe po zhvillojnë diskutime për implementimin e këtij instrumenti.
Vendet e NATO-s kanë futur në listën e zezë bankat më të mëdha të Rusisë dhe disa anëtarë të rrethit të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin këtë javë.
Por diskutimet po zhvillohen tashmë për sistemin financiar SWIFT.
Pa akses në këtë sistem bankat ruse nuk do të kishin mundësi të kryenin transaksione të ligjshme me homologet perëndimore.
Masa është shumë e fortë dhe ndërpret aksesin rus në valutë të huaj, duke e izoluar thuajse totalisht nga tregtia ndërkombëtare.
Francezët ndërkaq kanë sekuestruar një anije tregtare ruse në ujërat e kanalit të La Manche-it në kuadër të sanksioneve ekonomike që ka vendosur Bashkimi Evropian.
Rusët kanë kërkuar informacion me anë të ambasadorit të tyre për këtë veprim.
Edhe mediet e mëdha sociale kanë ndërmarrë hapat e tyre për të mos lejuar keqinformim sa i përket zhvillimeve tragjike të luftës në Ukrainë.

