Franca thotë se Putin duhet të kuptojë se edhe NATO ka armë bërthamore
Ministri i Jashtëm i Francës tha se kur presidenti rus Vladimir Putin bën kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore duhet të kuptojë se edhe NATO gjithashtu është një aleancë bërthamore, por ai përjashtoi ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga NATO për të mbrojtur Ukrainën.
I pyetur nëse kërcënimi i Putinit për "pasoja të tilla që nuk i keni parë kurrë në historinë tuaj" ishte i barabartë me kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore ruse në konfliktin në Ukrainë, ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha se me të vërtetë kuptohej si i tillë.
"Po, unë mendoj se Vladimir Putin gjithashtu duhet të kuptojë se aleanca Atlantike është një aleancë bërthamore. Kjo është gjithçka që do të them për këtë," tha Le Drian të enjten e 24 shkurtit 2022 në televizionin francez TF1.
Duke folur nga Kremlini të enjten në mëngjes, 24 shkurt 2022, teksa nisi pushtimin e Ukrainës nga ushtria ruse, Putin tha se Rusia do të përgjigjet menjëherë nëse ndonjë forcë e jashtme përpiqet të ndërhyjë në veprimet e saj.
