Pushtimi i Ukrainës, OKB: Pasojat mbi popullsinë do të jenë shkatërruese

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët paralajmëroi për një përkeqësim të situatës në Ukrainë pasi njerëzit po largohen nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, tha se pasojat si pasojë e pushtimit rus për njerëzit do të jenë shkatërruese.

Sipas tyre në këtë luftë nuk do të ketë fitues por shumë shumë njerëz do të humbin jetën.

Agjencia e refugjatëve u bën thirrje fqinjëve të Ukrainës që t'i mbajnë kufijtë e tyre të hapur për ata që ikin.

Ndërkohë, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, u bëri thirrje atyre që luftojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve.

OKB-ja kishte lëshuar tashmë një apel rekord për financim në vitin 2022 për të lehtësuar krizat në Siri, Jemen, Afganistan dhe rajonin Sahel të prekur nga thatësira në Afrikë.