Raporti: 2021, vit i vështirë për median dhe gazetarët në Shqipëri

Media Freedom Rapid Response (MFRR) publikoi sot raportin e fundit mbi gjendjen e lirisë së medias në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate nga janari deri në qershor 2021.

Sipas raportit, shumica e shkeljeve të lirisë së medias kanë ndodhur në protesta, kryesisht të lidhura me Covid-19. Europa gjatë 2021 u përfshi nga një valë protestash kundër masave anti Covid-19 dhe kundër vaksinimit më detyrim. Raporti thekson se “shumë incidente kanë ndodhur në protestat kundër vaksinimit, ku shtypi është bërë objektiv.

Ndërkohë në Shqipëri liria e medias ishte në vështirësi gjatë 2021 për shkak të forcimit të kontrollit të qeverisë mbi informacionin. Janë regjistruar 14 sinjalizime me 24 individë apo subjekte mediatike të prekura.

Pavarësia e sistemit për rregullimin e medias u kërcënua gjithashtu, ndërkohë që themelimi i një agjencie të re qeveritare e cila do të centralizonte kontrollin mbi marrëdhëniet me publikun dhe qeverinë ngriti shqetësime të mëtejshme për aksesin e mediave në informacion.

MapMF dokumentoi disa raste të veprimeve të rënda të policisë në vitin 2021.

Gazetarët gjithashtu u përballën me pengesa në kryerjen e detyrave të tyre profesionale nga burime të tjera.

Në prill, gazetari i Ora News, Isa Myzyraj, u ndalua fizikisht nga një roje sigurie e kryebashkiakut të Tiranës teksa po përpiqej t'i bënte pyetje politikanit.

Në të njëjtin muaj, gazetari i Ora TV Ronaldo Sharka dhe grupi i tij raportues u frikësuan dhe u dëbuan me forcë nga një takim elektoral i organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës nga një grup i madh mbështetësish të politikanit.

Gazetarë të tjerë u përballën me dhunë fizike nga individë privatë.

Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të operojnë në një klimë jashtëzakonisht të vështirë për të marrë informacion nga burime qeveritare.

Shqetësimet për aftësinë e gazetarëve për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti u reduktua në qershor kur Kuvendi i Shqipërisë njoftoi një ndryshim rregullash që do të kufizonte lirinë e lëvizjes së gazetarëve brenda godinës.

Sipas ndryshimit të rregullores së dakordësuar nga Kuvendi, anëtarët e medias nuk lejoheshin më të hynin në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seancat e tjera, me gazetarët që po ashtu përballeshin me pengesa më të mëdha për të folur me deputetët.

Ndryshimet që u zhvilluan pa u konsultuar me median hynë në fuqi në shtator, duke çuar në protesta të organizatave mediatike.

Në të njëjtën kohë, gazetarët që punojnë për mediat e pavarura diskriminohen rregullisht kur kërkojnë informacion ose koment nga ministrat.

Gazetarëve që shihen si përfaqësues të mediave "opozitare" u mohohet akreditimi ose u ndalohet të pyesin.