Ukraina s’bën hapa mbrapa, Presidenti ukrainas: Kufijtë tanë do të mbeten ashtu siç janë
Pas njohjes së rajonit separatist të Donbasit nga presidenti rus Vladimir Putin, kreu i shtetit ukrainas, Volodimir Zelenski ka deklaruar se kufijtë e Ukrainës do të mbeten ashtu siç janë pavarësisht dekreteve të miratuara nga Rusia.
Zelenski tha se Putin ka shkelur sovranitetin e territorit ukrainas dhe se është në pritje të mbështetjes së ndërkombëtarëve.
Perëndimorët kanë reaguar me shqetësim për njohjen e Luhanskut dhe Donjeckut si entitete të pavarura nga Ukraina dhe kanë paralajmëruar sanksione kundër Rusisë.
Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska dhe luftojnë kundër forcave ukrainase që nga 2014.
Kjo mund të jetë hera e parë që ushtria ruse hyn në zonat e kontrolluara nga rebelët pro-rusë.
