Putin njeh pavarësinë e dy rajoneve ukrainase

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të njohë pavarësinë e rajoneve në lindje të Ukrainës, zona që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

Putin kërkoi nga parlamenti rus të ratifikojë vendimin sa më shpejt të jetë e mundur.

"I kërkoj Asamblesë Federale të Federatës Ruse të mbështesë këtë vendim, dhe më pas të ratifikojë traktatet e miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë me të dyja republikat. Këto dy dokumente do të përgatiten dhe nënshkruhen në një të ardhme shumë të afërt. Dhe nga ata që morën dhe mbajnë pushtetin në Kiev, ne kërkojmë një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive. Përndryshe, e gjithë përgjegjësia për vazhdimin e mundshëm të gjakderdhjes do të jetë tërësisht në ndërgjegjen e regjimit që sundon në territorin e Ukrainës. Duke shpallur vendimet e marra sot, kam besim në mbështetjen e qytetarëve të Rusisë dhe të gjithë forcave patriotike të vendit. Faleminderit për vëmendjen", deklaroi lideri rus.

Në një konferencë drejtuar kombit, shefi i Kremlinit foli për historinë e Bashkimit Sovjetik e tha se Ukraina moderne u krijua tërësisht nga Rusia.

Duke iu referuar procesit të nisur pas revolucionit të 1917, Putin foli për rolin e  Stalinit e Hrushovit në lidhje me Ukrainën Sovjetike.  

Vendimin për njohjen e  pavarësisë së rajoneve lindore, shefi i Kremlinit tha se ia ka bërë të ditur  liderit francez, Emmanuel Macron dhe atij gjerman, Olaf Scholz.

Franca dhe Gjermania janë ndërmjetësuesit kryesorë midis Ukrainës dhe Rusisë për konfliktin në lindje.   

Një veprim i tillë mund t'i lejojë Rusisë të lëvizë hapur trupat në Ukrainën Lindore dhe t'i japë fund bisedimeve të paqes me Kievin.

Vladimir Putin është paralajmëruar më herët se nëse ai dekreton pavarësinë e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainë, BE-ja ka të ngjarë të vendosë sanksione.

"Nëse ka aneksim, do të ketë sanksione dhe nëse ka njohje, unë do t'i vendos sanksionet në tryezë dhe ministrat do të vendosin," tha më herët shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. 

Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt. Perëndimi thotë se më shumë se 150,000 trupa Ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.

Ndërkohë ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë,  Michael Carpenter, tha se nëse Rusia njeh pavarësinë e rajoneve ukrainase, kjo gjë do të ishte “e mjerueshme” dhe duhet të dënohet.