Njohja e dy rajoneve të pavarura nga Rusia, SHBA ndalon tregtinë me rajonet rebele ukrainase

Pas një vale reagimesh ndërkombëtare që dënojnë veprimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e dy rajoneve Lindore në Ukrainë, ka ardhur dhe reagimi i SHBA-së.

Presidenti i SHBA Joe Biden do të ndalojë “investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga personat amerikanë, për nga ose në në rajonet e shkëputura nga Kievi dhe të njohura tashmë zyrtarisht si të pavarura vetëm nga Moska.

Urdhri do të “sigurojë gjithashtu autoritet për të vendosur sanksione ndaj çdo personi që merr vendim të operojë në ato zona të Ukrainës”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Gjatë gjithë tensioneve, SHBA e ka kërcënuar Rusinë me një përgjigje të fortë ekonomike. 

Senati ka punuar për sanksionet më të forta nëse Rusia pushton Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi sot se ka nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur rajonet Donetsk dhe Luhansk është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.