Putin urdhëron dërgimin e paqeruajtësve rusë në lindje të Ukrainës
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë paqeruajtësit rusë në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar sot (21 shkurt 2022) , pasi Moska njohu pavarësinë e tyre.
Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.
Dekretet nuk specifikojnë se çfarë mund të thotë kjo, por ekspertët në Ukrainë dhe Rusi kanë argumentuar se Putini tani mund të dërgojë zyrtarisht trupat ruse në zonat rebele të Ukrainës lindore.
Moska ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë se ajo tashmë ka trupat e saj në dy republikat e vetëshpallura, informon BBC, citon Ora News.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.

