Shërbimet e Sigurisë ruse: Ukrainasit bombarduan një post-roje

Shërbimet e Sigurisë ruse kanë njoftuar se një post roje në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë është qëlluar me artileri nga pala ukrainase.

Sipas pamjeve kasollja është shkatërruar totalisht, por nuk vihen re dëme në pemët pranë saj, çka e bën të besueshme faktin se objektivi ishte posti i rojës.

Si pasojë e shpërthimit nuk raportohet për të lënduar.
Shërbimi Federal i Sigurisë ruse tha se sulmi është kryer në Rostov 150 m nga kufiri shtetëror.

Sipas palës ruse nuk është hera e parë që ukrainasit qëllojnë predha në territorin rus dhe në zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka deklaruar se takimi i presidentit rus, Vladimir Putin me Biden nuk është ende i sigurt.

Të hënën, Presidenca Franceze deklaroi se Macron kishte arritur t’u mbushte mendjen dy presidentëve për t’u takuar në Paris lidhur me tensionet në lindje të kontinentit.

Ndërkohë perëndimi pretendon se Putin ka vendosur të pushtojë Ukrainën dhe se nga momenti në moment mund të nisë lufta.

Kështu bën me dije inteligjenca amerikane dhe ajo britanike.
Ndërsa Bashkimi Evropian tha se kishte gati pakon e sanksioneve ndaj Federatës Ruse nëse ajo pushton Ukrainën.