Qindra viktima nga moti i keq, 146 të vdekur në Brazil nga rrëshqitjet, 16 në Europë nga stuhia

Ka shkuar në 146 numri viktimave në qytetin brazilian Petropolis për shkak të motit të keq, ndërsa kërkimet e ekipeve të shpëtimit kanë hasur vështirësi pas vërshimeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut. Edhe në Europë, numri i personave që kanë humbur jetën nga stuhia Junis ka shkuar në 16.

Moti i keq ka penguar kërkimet për të mbijetuarit në qytetin brazilian Petropolis, katër ditë pas vërshimeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut. Ekipet e shpëtimit thanë se ka pak gjasa që të gjejnë të mbijetuar të tjerë.

Zyrtarët konfirmuan se 146 persona kanë vdekur, përfshirë 27 fëmijë dhe të rinj, ndërkaq 191 persona konsiderohen të zhdukur. Mbi 900 vetë janë strehuar nëpër shkolla.

Ekipet e shpëtimit po përdornin lopata për të gërmuar nën dhe, pasi për shkak të kushteve të këqija nuk po mund të përdorin makineri të tjera.

Në një prej lagjeve më të goditura të Petropolis janë dëmtuar 80 shtëpi.

Vërshimet nisën të martën pas reshjeve të mëdha të shiut, që pritet të vazhdojnë përgjatë shkurtit.

Ndërkohë për shkak të stuhisë "Eunice", numri i viktimave ka shkuar në 16.

Humbjet u raportuan në Belgjikë, Holandë, Gjermani, Poloni, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi erërat e forta shkulën pemë dhe morën para çdo gjë.

Miliona shtëpi dhe biznese mbetën pa energjinë në të gjithë Evropën dhe rrjetet e transportit përfunduan në gjendje kaosi.

Katër vetë mbetën viktima në Holandë, të gjithë të goditur nga rrëzimi i pemëve dhe katër të tjerë në Poloni. Tre persona u vranë në rrugë në Angli, dy të tjerë në Gjermani dhe dy në Belgjikë.

Një burrë rreth të 60-ave gjithashtu ndërroi jetë në Ëexford, Irlandë, pasi u godit nga një pemë. Ndërkohë në Francën veriore, rreth 30 persona u plagosën në aksidente rrugore për shkak të stuhisë.

Shkencëtarët thonë se stuhia Eunice me shpejtësinë e madhe prej afro 150 km në orë konsiderohet si më e forta që ka prekur jugun e Anglisë, Uellsin përfshi dhe kryeqytetin Londër në tre dekada.