Kriza në Ukrainë, Johnson: Rusia planifikon luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945
Vendosja e trupave ruse në Ukrainë vazhdon të sjellë tensione në Evropë.
Kryeministri britanik Boris Xhonson në një reagim të dhënë për BBC shprehet se Moska po planifikon “luftën më të madhe në Evropë që prej vitit 1945”.
“Të gjitha shenjat janë se plani, në disa kuptime, tashmë ka filluar”, tha ai.
Duke iu referuar raporteve të inteligjenës ai shton se Rusia synon të nisë një pushtim që do ta rrethonte kryeqytetin ukrainas.
Duke iu bashkuar edhe krerëve të tjerë të shteteve kryeministri britanik nënvizon se nëse do të ketë një sulm të tillë Mbretëria e Bashkuar do të vendoste sanksione, më të ashpra seç ishte menduar.
Megjithatë diplomacia nuk ka qëndruar në heshtje. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të bisedojnë më 20 shkurt lidhur me tensionet përshkallëzuese mbi Ukrainë.
Ndërkaq, misioni monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë raportoi për “rritje dramatike” të shkeljeve të armëpushimit në vijën e frontit midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.
OSBE tha se vetëm brenda një dite ka pasur 1,500 shkelje të armëpushimit në rjonet Donetsk dhe Luhansk. Po të njëjtën ditë, Ukraina deklaroi se gjatë një sulmi i janë vrarë dy ushtarë.
Shtetet e Bashkuara thonë se me afro 150,000 trupa ruse në kufijtë e Ukrainës – dhe pothuajse 190,000 në total, përfshirë këtu forcat separatiste në lindje të Ukrainës që mbështeten nga Rusia – Moska veçse e ka ndarë mendjen që ta pushtojë shtetin fqinj.
Po ashtu, afro 30,000 trupa ruse janë në Bjellorusi për stërvitje ushtarake të cilat pritet të përfundojnë më 20 shkurt.

