Marrëveshja bërthamore me Iranin, Scholz: Jemi afër përfundimit të një draftmarrëveshjeje mes palëve

Në Vjenë janë duke u zhvilluar bisedime intensive mes Britanikëve, rusëve, kinezëve, francezëve dhe gjermanëve me palën iraniane për të pasur një marrëveshje të re bërthamore. Amerikanët po i ndjekin hap pas hapi diskutimet ndërsa ngulmojnë për një marrëveshje të re. Palët kanë dakordësuar elementët e një drafti, që sipas kancelarit gjerman Scholz, mund të jetë përfundimtar.  

Ndërsa vëmendja është tërësisht te tensionet e shtuara në Ukrainë, në Vjenë, kryeqyteti i Austrisë, anëtarët e Këshillit të Sigurimit plus Gjermania, por pa amerikanët në tavolinë, janë ulur për të diskutuar prej muajsh për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin.

Palët njoftojnë se janë afër një marrëveshjeje të re bërthamore me Iranin, për t’u kthyer në paktin që kishin në vitin 2015, por që u braktis në mënyrë të njëanshme nga administrata Trump.

Kancelari gjerman Scholz tha nga Konferenca vjetore e Sigurisë në Mynih se bisedimet bërthamore me Iranin kanë bërë një rrugë të gjatë në 10 muajt e fundit dhe se "të gjithë elementët për përfundimin e negociatave në tavolinë janë gati".

Iranianët kërkojnë heqjen e sanksioneve amerikane, pasi sipas tyre rëndojnë shumë në ekonominë vendase. Amerikanët në këto bisedime po marrin pjesë në mënyrë indirekte.

Presidenti Joe Biden ka sinjalizuar se dëshiron të këtë një marrëveshje të re, ku sipas analistëve, më mirë një marrëveshje, se pa marrëveshje fare.

Irani ndërkaq ka kërcënuar me rritje të pasurimit të uraniumit, që sipas ekspertëve të Lindjes së Mesme do ta trazonte rajonin e më gjerë nëse do të arrinte të ndërtonte një armë bërthamore.

Palët ndërkaq ja hedhin topin njëra-tjetrës. Europianët thonë se është momenti që Irani të marr një vendim, ndërsa Irani thotë se është gati për marrëveshje, por kërkon garanci nga Perëndimi se marrëveshja do të zbatohet.