Italia nis aplikimin e dozës së katër të vaksinës anti Covid
Italia mbush sot dy vite nga identifikimi i pacientit zero, rasti i parë pozitiv nga Covid 19, i verifikuar më 21 shkurt 2020 në komunën e Codogno të Lodit në rajonin e Lombardisë.
Plot dy vite nga nisja e pandemisë globale, me një bilanc tragjik njerëzorë e ekonomik për këtë vend, autoritetet shëndetësore italiane kanë vendosur kryerjen e dozës së katërt të vaksinës, për persona me kushte shëndetësore kritike e imunitet të dobët.
Komisari i jashtëzakonshëm për pandeminë Paolo Figliulo ka informuar se prej datës 1 mars 2022. autoritetet shëndetësore së bashku me komitetin teknik shkencor, janë dakordësuar për nisjen e aplikimit të dozës së katërt të vaksinës për kategori të caktuar personash.
Ai ka informuar gjithashtu se brenda pak ditësh në Itali, priten të mbërrijnë rreth 1 milionë doza nga vaksina e re Novavax, përdorimi i së cilës është miratuar më 22 dhjetor 2021 nga Komiteti shkencor pranë qeverisë Draghi e nga Agjensia kombëtare italiane e barnave, për grupmoshat mbi 18 vjeç.
Kjo vaksinë e realizuar nga një kompani amerikane përdor teknikën e rikombinuar të proteinave për të luftuar virusin Covid 19.
Një milionë dozat e para të Novavax do të shpërndahen në të gjitha rajonet e komunat italiane e sipas Komisarit të jashtëzakonshëm të emergjencës, Italia ka të gjithë rezervën e duhur të vaksinave për të përballuar dhe fazën e re të dozës së katërt.
Deri më sot fushata e vaksinimit në Itali ka realizuar një cikël të plotë vaksinimi në rreth 89% të italianëve, ndërsa në 94% e popullsisë ka kryer dozën e parë të vaksinës apo rezulton e shëruar nga virusi.
Dy vite nga pandemia kurba e infektimit vazhdon të regjistrojë shifra të larta në Itali
Në 24 orët e fundit, janë shënuar 42.081 të infektuar e 141 viktima e koeficienti i tamponeve molekularë pozitivë është 10.6% ndërsa i testeve të shpejta në 11.5%.
Dy vite nga identifikimi i pacientit zero, bilanci i pandemisë regjistron në Itali 152 989 viktima, 12 469 975 të infektuar e 10 968 639 të shëruar.

