Shqiptari kapet në Itali me mbi 27 kg kokainë
Autoritetet policore italiane konfirmojnë se kanë arrestuar shqiptarin D.K 36 vjeç, të cilit i janë sekuestruar mbi 27 kilogramë kokainë.
Kapja e këtij trafikanti droge, është bërë pas një hetimi shtrirë në rajonet Lombardi e Emilio Romagna, e që çoi dhe në identifikimin e shqiptarit, i cili ishte i skeduar nga drejtësia italiane për vepra të mëparshme penale.
Në automjetin e shqiptarit u gjetën 16.7 kg kokainë ndërsa në banesën e tij në komunën Occhiobello në provincën e Robigos, u gjetën 10.5 kg të tjera kokainë.
Autoritetet policore italiane konfirmon për RTV Ora e Ora News se operacioni është kryer nga reparti i karabinierisë së Rovigos e se autoritetet gjyqësore po hetojnë mbi ngjarjen, gjë që limiton informacionet mbi bashkëpunimet kriminale e aktivitetin e trafikantit shqiptar në territorin italian.
Me shumë gjasa sasia e madhe e kokainës së sekuestruar do të shërbente për të furnizuar tregjet italiane të drogës e ishte një pikë strategjike për trafikun territorial.
Shqiptari i arrestuar është shoqëruar në burgun e Ravenës e avokati i tij mbrojtës ka kërkuar përcjelljen e akteve të akuzës në Prokurinë e Rovigos, meqë faktet kanë ndodhur në komunën Occhiobello që është kompetencë territoriale e kësaj prokurorie.

