Interi lufton, Liverpool fiton me eksperiencë duelin e parë (Video)

Akti i parë i përballjes Interi-Liverpool shkon për anglezët. Në “San Siro” ishte një betejë e vërtetë ku të dyja skuadrat rrezikuan, krijuan por më të mirën e morën “The Reds” me më shumë eksperiencë se italianët teksa fituan 2-0.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit që mbajtën topin dhe u hodhën përpara e menjëherë Çalhanoglu i pafat godet traversën.

Liverpool rritet në lojë dhe merr qarkullimin e topit por pa rrezikuar seriozisht portën e Interit që mbrohet mirë.

Pjesa e dytë është edhe më e bukur. Interi hidhet në sulm duke vënë shumë në vështirësi skuadrën e Klopp sidomos në krahun e majtë ku Perisiç sulmon pa fund dhe krijon raste siç janë dy herë me Lautaro dhe me Vidal të pashfrytëzuara. Duke qenë në vështirësi Klopp bën menjëherë tre zëvendësime duke futur edhe Luis Diaz në sulm i cili ka dhe rastin më të mirë për të shënuar për miqtë por gjuajtja e tij devijohet.

 

Në 70’ Interi është shumë pranë golit kur në një kundërsulm Dzeko ishte pothuajse vetëm por preferoi të pasonte e jo të gjuante. Janë minuta të mira për zikaltërit ku edhe me Dumfries 2 minuta më pas, gjuajtja e tij kalon pak mbi traverse.

Gjithsesi eksperienca e Liverpoolit në Champions vendos edhe njëherë teksa në një goditje këndi, Firmino godet me kokë duke ndëshkuar zikaltërit në 75’. Këta kanë sërish mundësi me Sanchez që nuk shfrytëzohet.

Kur pritej një reagim vendas, Liverpool gjen dhe golin e dytë në një rrëmujë në zone ku Salah me të majtën ndëshkon dhe vulos fitoren që pothuajse është kualifikim për ekipin e drejtuar nga Klopp./Ora News/.