Broja dhuratë për Nagelsmann? Bild zbulon zhgënjimin e trajnerit për merkaton

Ditët e fundit po flitet për një interesim konkret të Bayern Munchen për bomberin shqiptar Armando Broja. “The Sun” fillimisht lëshoi bombën e më pas lajmi u përhap në çdo cep me shpejtësi të madhe teksa krahas bavarezëve edhe Dortmundi po e shikon lojtarin tonë për verën e ardhshme.

Po sa e vërtetë është një lajm i tillë? Në pritje për konfirmime të mëtejshme një indikacion e jep “Bild”, prestigjozja gjermane që ka shkruar për një Nagelsmann të zhgënjyer me drejtuesit.

Kjo për faktin se trajneri i bavarezëve priste 2 goditje në merkaton e Janarit e ndërkohë që nuk erdhën, u zyrtarizua largimi i Sule.

Dhe zhgënjimi i Nagelsmann me drejtuesit, duket se ka shtyrë Bayernin të kërkojë përforcime, me lojtarë të rinj e të talentuar, ashtu siç Nagelsmann i pëlqen dhe merrte gjithmonë te Leipzig.

Bayerni prej disa sezonesh është treguar agresive me lojtarët e rinj si Musiala, Davies, dhe nuk është sekret që një lojtar shpërthyes si Armando Broja të jetë në axhendën e tyre për në merkaton e verës./Ora News/.