Gjykata vendosi Prodanin në Shoqatën e Tiranës, FSHF: Subjekti nuk është anëtar, fjalën e fundit e ka CAS
Sot gjatë ditës, Gjykata e Tiranës nxorri një vendim ku rrëzonte zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës teksa njohu ato të mbajtura nga një Shoqatë tjetër e cila kishte emëruar Eduard Prodanin kryetar.
Për rastin në fjalë ka reaguar FSHF përmes Drejtorit të Departamentit Ligjor, Aldi Topçiu i cili shpjegon se ky akt është nuk pasi subjekti që ka bërë zgjedhjet nuk është anëtar i FSHF-së.
Gjithashtu ai kujton se në bazë të statutit të hartuar sipas UEFA-s dhe FIFA-s, ezaurimi i pretendimeve apo mospajtimeve me FSHF-në vendoset në fund në CAS duke përjashtuar të gjitha gjykatat e zakonshme.
Më poshtë edhe reagimi nga FSHF:
"Jemi informuar sot për vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për regjistrimin e një shoqate tjetër në këtë qytet, ashtu si shumë shoqata të tjera që kanë seli në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se ky subjekt është anëtar apo është i njohur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Duke qenë se ky është një informacion që e kam në mënyrë mediatike, jo në mënyrë zyrtare, ende nuk dimë përmbajtjen apo ekstremitetet e kësaj vendimmarrjeje”, – thotë Topçiu në një deklaratë për median, duke saktësuar se të gjithë anëtarët duhet të respektojnë Statutin e FSHF-së, që është i hartuar në përputhje të plotë me udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
“Çdo anëtar apo anëtarët e anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit janë të detyruar të respektojnë statutin. Statut i cili është hartuar në përputhje të plotë me udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së me unanimitet, dhe nga vetë Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas nenit 71 të këtij statuti të gjitha ankesat, pretendimet apo mospajtimet me vendimet e FSHF-së mund të ankimohen në shkallë të fundit, pra pas ezaurimit të shkallëve të brendshme, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke përjashtuar të gjitha gjykatat e zakonshme.
Monitoruesit e UEFA-s do të jenë në Tiranë javën e ardhshme. Kjo është edhe një dakordësim politik të nivelit të lartë midis Presidentit të UEFA-s, z. Ceferin dhe Kryeministrit Edi Rama. Dua t’ju kujtoj se kufijtë e veprimtarisë se FSHF-së caktohen vetëm nga Statuti dhe nga asgjë tjetër dhe kam besim se procesi do të vazhdojë pa probleme, me të njëjtin ritëm, me të njëjtin nivel transparence dhe nën mbikëqyrjen e Komisionit të Verifikimit, i cili është zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme në përmbushje të mandatit të tij”, – theksoi Aldi Topçiu në deklaratën për median.
