Video/ Liverpool shkëlqen me Jotan, Arsenali vuan por fiton
Java e 24-të e Premier League mbyllet me dy fitore të rëndësishme. Liverpooli i Klopp vijon të ndjekë Man. Cityn teksa u përgjigjet me të njëjtën fitore si Citizens, 2-0 por ndaj një rivali të fortë si Leicester City.
Në “Anfield Road” është vetëm Liverpooli në fushë dhe megjithëse ndeshja u mbyll 2-0, rezultati mund të ishte pa frikë edhe 4-0 pasi vendasit shpërdorojnë shumë raste.
Gjithsesi është Diogo Jota që bën bomberin për “The Reds” teksa shënoi në 34’ për avantazhin e vendasve dhe vulos fitoren në 87’ teksa për t’u theksuar është rikthimi i Momo Salah menjëherë pas zhgënjimit në Kupën e Afrikës.
Me këtë fitore, Liverpool shkon 9 pikë pas Man. City por ka edhe një ndeshje më pak.
Arsenali mori një fitore karakteri në një transfertë shumë të vështirë si ajo ndaj Wolves me rezultatin minimal 1-0. Heroi i ndeshjes por edhe fajtori është Gabriel Martineli i cili bën dhe zhbën në këtë duel me golin e shënuar e më pas në pjesën e dytë del dhe me të kuq.
Takimi në fakt është i tensionuar pasi u dhanë 6 kartona që gjithsesi nuk ndikuan te Arsenali që largohet me një fitore të rëndësishme që e çon afër vendit të katërt./Ora News/.
