Milioneri çek nën hetim, drejtoi Bugatin në autostradën gjermane me shpejtësi 417 km/h
Gjermania është e famshme për mungesën e kufizimeve të shpejtësisë në pjesët e autostradave të saj, por një milioner çek duket se ka udhëtuar me 417 km/h dhe mund të ketë testuar kufirin e asaj që është e tolerueshme.
Radim Passer tani po hetohet për drejtimin e tij të makinës së shtrenjtë përgjatë një autostrade në shtetin Saksoni-Anhalt.
Zyra e prokurorit në Stendal tha se kishte nisur një hetim për incidentin. Shoferi mund të përballet me një dënim me burg deri në dy vjet ose gjobë.
Pronari i pasur i makinave sportive nga Republika Çeke postoi videon e ngarjes së makinës të verën e kaluar me një Bugatti Chiron në A2 midis Berlinit dhe Hanoverit në YouTube, duke sjellë vëmendjen për incidentin.
Në video, shpejtësia e makinës shkoi deri në 417 km/h. Në komentet me shkrim nën video, shoferi shton se ngjarja ka ndodhur në orën 04:50 të mëngjesit të së dielës.
Policia nisi një hetim pasi shkelja e supozuar u raportua në mediat gjermane.
Sipas kodit penal, një ngarje e tillë mund të përbëjë sërish kundërvajtje nëse shoferi "lëviz me shpejtësi të papërshtatshme dhe në mënyrë që shkel rëndë kodin e trafikut dhe është i pakujdesshëm", - thuhet në raport.
Ministri i Transportit Volker Wissing ka dënuar qëndrimin e shoferit, duke vënë në dukje se ndërsa nuk ka kufizim shpejtësie në Gjermani, makina duhet të jetë gjithmonë "nën kontroll".
