Garës për FSHF-në i shtohet një tjetër kandidat. Sulejman Starova sfidon Dukën
Bëhet fjalë për trajnerin Sulejman Starova i cili është propozuar sot si kandidaturë nga Shoqata Rajonale e Futbollit të Lezhës.
Në këto punime morën pjesë 12 shoqatat anëtare të përfaqësuar me 18 delegatë. Dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera dhe Vasil Bici përshëndetën punimet e Asamblesë si dhe përgëzuan anëtarët e SHRF Lezhë për punën e bërë gjatë kësaj kohe në këtë zonë.
Kryetari i kësaj shoqate, Ridvan Kulli, falenderoi anëtarësinë për punën e kryer teksa anëtarësia vendosi të propozojë emrin e Sulejman Starovës si kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe emrin e Vasil Bicit si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Në përfundim të votimit delegatët e SHRF Lezhë zgjodhën gjithashtu me unanimitet të plotë Kristjan Xhidodajn, Dario Palin dhe Leonard Preloshin për t’i përfaqësuar në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së./Ora News/.
