Protesta e Laprakës, avokati i banorëve: Shteti i zvarriti për 16 vjet me legalizimet, sfidoi ligjin me një VKM
Arben Llangozi, avokati i banorëve të zonës së Laprakës, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe bën përgjegjës shtetin shqiptar se i ka mbajtur peng për 16 vjet me legalizimet.
Për Ora News me gazetaren Anila Zyberaj, ai tha se personat përgjegjës janë kallëzuar penalisht dhe se prokuroria e Tiranës do të vijojë me hetimet.
"Shumë persona që i kanë me dokumenta pronësie pasuritë e tyre, shteti në mënyrë arbitrare u ka dëmtuar këto banesa pa një një VKM. Kemi të bëjmë me shkatërrim prone nga shteti duke kryer një vepër penale. Për këto arsye dhe arsye të tjera që është zvarritur legalizimi për 16 vite banorët që unë përfaqësoj kanë kallëzuar penalisht personat përgjegjës. Prokuroria e Tiranës do të vazhdojë hetimet".
Për ta bërë më konkrete situatën, ai shpjegon se sot, nëse bashkia nuk të kthen përgjigje brenda 45 ditësh për një leje ndërtimi, ta ka miratuar atë me heshtje.
"Nëse dot në 2022 do të aplikosh për një leje ndërtimi në bashkinë Tiranë për 45 ditë e përcakton ligji qartë që nëse nuk jepet leja quhet e miratuar në heshtje. Ndërkohë banorëve për 16 vjet nuk u është legalizuar banesa e tyre, kemi të bëjmë me një arbitraritet. Kemi të bëjmë me vjedhje me ligj, nuk mund të dëmtohet një pronë për interesa private. Para se të bëhet një projekt publik duhet të bëhet shpronësimi".
Shtetin e sheh përgjegjës edhe për ndërtimet pa leje.
"Shteti ka lejuar ndërtimet pa leje. Kur kanë ndërtuar banorët që unë përfaqësoj nuk ka ekzistuar kundraligjshmëri për ndërtimet pa leje, nuk ka pasur një ligj që ti ndalojë këto persona. Ligji për legalizimet është bërë në 2006 për shkak se në 2003 e në vijim ka pasur protesta nga banorët e Unazës së Re. Deri në 2006 nuk ka pasur asnjë ligj. Si mund të quhen fajtorë banorët që kanë ndërtuar, ku ka qenë shteti që këta banorë kanë ndërtuar aty?"
Heshtjen e autoriteteve pas protestave të vazhdueshme e sheh absurde. Po aq edhe sfidimin e ligjit të legalizimeve të 2006 me VKM e 2021.
"Qeveria në mënyrë absurde nuk ka reaguar pas 20 ditësh protesta. Është e drejtë e qytetarëve të protestojnë në mënyrë të ligjshme. Në 2006 sheti shqiptar ka nxjerrë një ligj ku legalizohen të gjitha objektet informale, të gjithë banorët që unë përfaqësoj janë përfitues sipas ligjit për legalizimin të 2006. Në 2021 në mënyrën më absurde del një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit që sfidon ligjin. KKT ka nxjerr një vendim që do bëhet një investim publik për një projekt ndërkohë nga gjithë dokumentacioni nuk ka asnjë projekt të miratuar. Është marrë një vendim pa projekt përkatës. Nuk ka projekt zhvillimi".
