Imazhet e reja satelitore tregojnë avancimin e njësive ushtarake ruse në Bjellorusi

Imazhet e reja satelitore tregojnë avancimin e njësive ushtarake ruse

Imazhet e reja satelitore të publikuara nga një kompani teknologjike me bazë në SHBA duket se tregojnë se ushtria ruse ka avancuar dislokimet në disa lokacione në Bjellorusi, një lëvizje që mund tw shqetësojë Ukrainën dhe NATO-n mes frikës se Kremlini po planifikon një inkursion në territorin ukrainas.

Dislokimet ka të ngjarë të lidhen me stërvitjet e përbashkëta midis forcave ruse dhe bjelloruse që do të fillojnë të enjten. Megjithatë, fotografi të tjera tregojnë kampe të krijuara pranë kufirit me Ukrainën, qindra milje larg vendit ku po zhvillohen stërvitjet.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të sulmojë Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi masiv i trupave të Moskës në rajon. 

Kremlini besohet se ka mbledhur 70% të personelit ushtarak dhe armëve në kufijtë e Ukrainës që Rusisë do t'i duheshin për një pushtim në shkallë të plotë, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me vlerësimet e fundit të inteligjencës së Uashingtonit. 

Megjithatë, është e paqartë se sa kohë do t'u duhej forcave ruse për t'u rritur më tej, ose nëse atyre do t'u duheshin kapacitete të plota për të pushtuar.

Imazhet nga Maxar të marra të shtunën janë në përputhje me videot e postuara së fundi në mediat sociale që tregojnë forcat ruse duke lëvizur nëpër Bjellorusi dhe duke krijuar kampe fushore brenda 20 milje nga kufiri ukrainas.

Disa nga imazhet tregojnë aeroportin Luninets të Bjellorusisë, ku avionët luftarakë rusë janë vendosur përpara stërvitjeve, të quajtura Union Resolve 2022.

Fotografitë tregojnë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400 dhe avionët sulmues Su-25 në aeroport. 

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të shtunën video të mbërritjes së avionëve në Luninets.