Rreziku bërthamor nga Peniani, OKB: Koreja e Veriut vazhdon të zhvillojë programin e raketave balistike

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara, në një raport të ri, kanë ngritur shqetësimin se Koreja e Veriut po vazhdon të zhvillojë programin bërthamor dhe të raketave balistike, në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Pavarësisht sanksioneve nga SHBA, Peniani ka një “përshpejtim të dukshëm” të testimeve të kryera.

Kombet e Bashkuara kanë ngritur sërish shqetësimin se Koreja e Veriut po vazhdon të zhvillojë programin bërthamor dhe të raketave balistike, përfshirë edhe aftësitë për të prodhuar materialet e para bërthamore, në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Një grup ekspertësh të OKB-së kanë publikuar një raport ku theksohet se ka një “përshpejtim të dukshëm” të testimeve të kryera nga Pheniani dhe të demonstrimit të armëve të reja, raporton “Associated Press”.

“Teknologjitë e reja të testuara përfshijnë edhe një kokë të mundshme bërthamore hipersonike dhe një automjet të manovrueshëm. Koreja e Veriut po ashtu ka demonstruar “aftësi për dislokim të shpejtë, lëvizshmëri të gjerë dhe elasticitet të përmirësuar të forcave të saj raketore”, thotë raporti.

Ekspertët shtojnë se Koreja e Veriut “po vazhdon të kërkojë jashtë vendit materiale, teknologji dhe njohuri për këto programe, përfshirë edhe përmes mjeteve kibernetike dhe kërkimit të përbashkët shkencor”. Në janar të këtij viti, Koreja e Veriut ka lëshuar nëntë raketa dhe ka testuar edhe armë të tjera, përfshirë edhe raketa hipersonike dhe raketa që lëshohen nga nëndetëset.

Këshilli i Sigurimit fillimisht kishte vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut në 2006 pas testimit të parë bërthamor dhe ndër vite, këto sanksione janë ashpërsuar, ndërsa vendi ka vazhduar të sofistikojë programin bërthamor.