SHBA shënon mbi 900 mijë të vdekur me covid

Mbi 900 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga shpërthimi i pandemisë.

Afro 100 mijë humbje jete u shkaktuan që nga mesi i dhjetorit të vitit të shkuar deri në 5 shkurt.

Muajin e kaluar vendi u godit nga një valë e re infeksionesh që përkonin me shpërthimin e variantit Omikron.

Edhe pse infektimet e reja nga Omikron janë në rënie, numri i humbjeve të jetëve vijon të rritet me afro 2400 raste vdekjesh në ditë.

Shtrimet në spitale po ashtu mbeten të larta, duke e çuar numrin e tyre afro limiteve të kapaciteteve spitalore.

Vdekjet vazhdojnë të rriten me një ritëm alarmues pavarësisht vaksinave, të cilat i ka injektuar 64% e popullsisë, duke marrë të dyja dozat.

Presidenti Biden nderoi viktimat, vdekjet e të cilëve u shkaktuan nga pandemia duke shtuar se tashmë vendi ka një armë për të luftuar kundër pandemisë.

"Sot vendi ynë ka kaluar një tjetër moment historik tragjik. Tani kemi më shumë mjete se kurrë për të shpëtuar jetë dhe për të luftuar këtë virus."

Shtetet e Bashkuara mbeten vendi me numrin më të madh të viktimave, i cili ndiqet nga Brazili dhe India. 

Kriza shëndetësore ka marrë zyrtarisht jetën e të paktën 5.7 milionë njerëzve në mbarë botën që nga fundi i dhjetorit 2019.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht thekson se në realitet viktimat ndoshta janë dyfish ose trefish më shumë.