Dezinformim rus për Ukrainën/ Pentagoni: Mund të përdoret skenari i Krimesë me video të rreme
Pentagoni amerikan njoftoi se Rusia ka avancuar planet për të prodhuar një video të një sulmi të rremë ukrainas ndaj civilëve rusishtfolës, ku sipas tyre do ta përdorë atë si pretekst për ndërhyrje ushtarake për pushtimin e Ukrainës.
"Ne besojmë se Rusia kishte gati një video propagandistike që përfshinte njerëz të vrarë dhe aktorë si edhe imazhe të vendeve të shkatërruara dhe pajisje ushtarake që ngjanin si armë që kishin ardhur nga perëndimi", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Sipas zyrtarit amerikan të departamentit të Mbrojtjes, plani është i gjatë dhe i mirë detajuar saqë zyrtarët rusë kanë gjetur edhe kufoma për t'i përdorur në video dhe kanë rekrutuar aktorë për të luajtur rolet.
Ndërkohë, edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price foli për të njëjtin skenar komploti. Këto janë teknika të njohura, ndaj dhe Price njoftoi se Rusia ka organizuar sulme të ngjashme duke ngritur këtë skemë edhe në të kaluarën. Sipas tij e njëjta skemë është përdorur përpara se Rusia të pushtonte gadishullin e Krimesë në 2014-ën. "Shërbimi inteligjent i yni na solli këtë informacion dhe qëllimi i bërjes publike është të pengojë Rusinë nga kryerja e këtij operacioni, tha Price.
Ndërkaq, Rusia i mohon akuzat. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se SHBA dhe Britania kanë paralajmëruar për komplote ruse në Ukrainë shpeshherë javët e funti, por asgjë nuk ka ndodhur. Rusët e mohojnë që të kenë një plan për të pushtuar Ukrainën, ndërsa janë në bisedime me amerikanët për uljen e tensioneve, pasi kanë stacionuar mbi 100 mijë trupa ushtarake të armatosur rëndë në kufi me Ukrainën.
Këtë informacion për një ndërhyrje të shpejtë dhe pushtim të Ukrainës, dhe përdorimin edhe të videove të atilla, amerikanët e kanë ndarë me aleatët evropianë. Zyrtarët e lartë të inteligjencës informuan edhe anëtarët e Kongresit amerikan për këto të dhëna të klasifikuara, dhe senatorët, si demokratët dhe republikanët, u shprehën të bindur se Rusia po planifikon një sulm të rremë.

