Beteja mediatike gjermano-ruse, palët mbyllin transmetuesit respektivë, Russia Today dhe Deutsche Welle
Ministria e Jashtme ruse njoftoi këtë të premte mbylljen e kanalit gjerman Deutsche Welle. Sipas tyre, kjo masë vjen si kundërpërgjigje se gjermanët mbyllën transmetimet e Russia Today. Vende të ndryshme kanë hequr licencën e transmetuesit rus sepse pretendojnë se përhap dezinformata, gjë që mohohet nga Rusia.
Gjermanët dhe rusët janë përfshirë në një betejë mediatike ku kanë mbyllur transmetuesit e tyre në vendet respektive. Ishin gjermanët ata që bllokuan televizionin rus Russia Today për të transmeture në Gjermani, që solli edhe kundërmasën ruse me bllokimin e Deutsche Welles gjermane në Rusi.
Transmetuesi shtetëror rus duhet të ndalojë transmetimin e programeve në gjuhën gjermane në Gjermani pasi "nuk ka licencën e nevojshme të transmetimit", njoftoi Komisioni Gjerman për Licencimin dhe Mbikëqyrjen Mediatike. Russia Today që drejtohet nga shteti rus është akuzuar si instrument propagande për Kremlinin dhe përhap dezinformata. Kanalinisi transmetimin në dhjetor 2021, duke pretenduar se kishte një licencë serbe për transmetimin kabllor dhe satelitor që lejonte transmetimet edhe në Gjermani.
Ndërkohë, rregullatorët gjermanë morën masa të shpejta dhe brenda një jave Russia Today Dutschland u hoq nga rrjeti satelitor i Evropës. Megjithatë, ai ishte ende i disponueshëm në internet dhe nëpërmjet një aplikacioni celular. Këtë javë ai u ndalua përfundimisht në Gjermani, ndërsa rusët kanë njoftuar se do të shkojnë në gjyq për këtë pikë.
Rusia ndërkaq është kundërpërgjigjur duke mbyllur kanalin gjerman të Deutsche Welles të akredituar në Rusi. Ministria e Jashtme ruse njoftoi mbylljen e zyrës së DW-së në Moskë , duke thënë se hapi ishte një "masë reciproke" kundër Berlinit që ndaloi transmetimet në gjuhën gjermane të medias shtetërore ruse Russia Today. Për rastin reagoi BE-ja duke e quajtur vendimin e autoriteteve ruse "të papranueshëm" dhe "një zhvillim të keq".
Më herët, në janar, gjatë një takimi me ministren e Jashtme gjermane homologu rus Lavrov paralajmëroi kundër bllokimit të Russia Today dhe tha se mund të ketë pasoja për mediat gjermane që operojnë në Rusi.
Në shtator, YouTube mbylli dy kanale të Russia Today në gjuhën gjermane me arsyetimin se po përhapnin dezinformata mbi koronavirusin. Luksemburgu refuzoi vjet një kërkesë për licencë nga Russia Today, ndërsa ka probleme në Britani, Amerikë dhe është ndaluar gjithashtu në Lituani dhe Letoni.
Studimi i vitit 2019 "Weaponizing News" nga King's College në Londër nxjerr përfundimin se media si Russia Today dhe Sputnik janë instrumente propagande që bëjnë "dezinformim" për të krijuar përshtypjen se demokracitë perëndimore janë "të paqëndrueshme". Këto akuza ndërkaq mohohen nga Rusia.

