Gazetarja: Ish ministri Tahiri u çua në gjykatë për "trafik droge" u dënua për "shpërdorim detyre"

Ditën e sotme ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 3 vite e 4 muaj burg.

Ndërkohë gazetarja Keti Banushi, në një intervistë për Ora Neës, ka dhënë detaje në lidhje me dënimin e ish-Ministrit.

Ajo tha se akuzat që Tahiri u çua në Gjykatë ishin ndryshe, ndërkohë që ai mori dënim për një akuzë komplet tjetër.

Banushi tha se nuk kishte prova të mjaftueshme që Tahiri të dënohej për trafik të lëndëve narkotikeve.

Keti Banushi: Ai u akuzua për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa në fund fare u dënua për shpërdorim detyre. Nëse një ministri që është ministri më jetëgjatë, i nge një akuzë të tillë duhet të kesh prova të pakundërshtueshme. Të vetmet prova ishin thjesht përgjimet italiane që flisnin vëllezërit Habilaj, për bosin, për Saimirin. U përmend një emër Saimir, ndërkohë që ish- ministri tha se ky Saimiri nuk jam unë por është një shofer i një maunje që transportonte drogë.

Ajo tha se hetimet ishin të cunguara ndërsa shtoi se “Tahiri ishte viktimë e institucioneve të reja”

Keti Banushi: Ishin hetime të cunguara. Saimir Tahiri është viktimë e këtyre institucioneve të reja. Ngjarjet vërtetë mund të ketë ndodhur, por nuk është se Gjykata ka qenë bindëse me këto akuza për t’i dënuar me burg.  Ishte më shumë si një shembull që duhet të japin. Do ishte ndryshe nëse çështja do ishte nisur me prova të reja.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.