"Me siguri ndonjë Kapllan pallat do të ndërtohet edhe në Paskuqan", Noka krah banorëve në protestën tek Parlamenti
Banorët e “5 Majit” “Laprakës” dhe të Paskuqanit kanë dalë para Parlamentit për të protestuar për mbrojtjen e banesave të tyre.
Deputeti Flamur Noka në mbështetje të banorëve shprehet se ata kanë kërkuar të marrin një përgjigje qeveritare, por e vetmja gjë që kanë marrë është heshtja she shpërfillja kriminale.
Noka: Që nga dita e parë që ka filluar projekti korruptiv i qeverisë dhe bashkisë në zonën e Laprakës dhe 5 Majit, deri tani që projekti kriminal ka kaluar edhe kufijtë e bashkisë së Tiranës dhe është futur në bashkinë e Kamzës, në zonën e Paskuqanit banorët kanë pritur q të kishte një reagim qeveritar dhe dikush të kujtohet për hallet e tyre. Deri tani kanë parë vetëm heshtje dhe shpërfillje kriminale nga bashkia, nga pushteti i horrave. Sot është shtuar numri i banorëve të Tiranës që hidhen në rrugë të madhe pa mëshirë. Që në 2013 dhe deri më sot në çdo projekt që është paraqitur ka pasur dy shtylla; korrupsioni dhe babëzia qeveritare, dhe shtylla e dytë pashpirtësia nga qytetarëve që i kanë votuar. Këta qytetarë kërkojnë atë që kërkon çdo qytetar, të zhvillohen projektet për t'i dhënë një fytyrë normale Tiranës dhe gjithë këtij vendit, por asnjëri prej tyre nuk është i paligjshëm në tokën, vendin dhe shtëpinë e tij.
Deputeti tha se projekti është spostuar për një aferë korruptive.
Noka: Mbase me siguri ndonjë Kapllan pallat do të ndërtohet edhe në Paskuqan. Një projekt i përbashkët Brava-Rama në kurriz të këtyre hallexhinjve, të këtyre qytetarëve që më 25 prill shkonin dhe i thoshin ju jeni zotërit tanë. Ne do bëjmë gjithçka për të ndërmarrë nisma ligjore. Parimi në demokraci është legalizo pastaj urbanizo. Nuk mund të ketë parim unë vjedh dhe urbanizoj si të më teket mua.
Noka tha se ata që e aplikojnë këtë parim kanë fytyrë kriminale. Ai i siguroi banorët se do të jenë në mbështetje të tyre çdo ditë dhe nuk do t'i braktisin në kauzën e tyre të drejtë.
