Marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova hapin pikën e përbashkët kufitare në Shishtavec-Kurshevë

Përmes një vendimi të sotëm të Këshillit të ministrave, qeveria ka miratuar marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar me Kosovën, në Shishtavec (Kukës) – Kurshevë (Dragash).

Ky vendim është në kuadër të marrëveshjeve të ndërmarra dhe dakordësuara pas takimit të dy qeverive në Elbasan.

"Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Kurshevë (Dragash), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.” – thuhet në vendim.

Po ashtu, në kuadër të këtyre marrëveshjeve, është miratuar edhe lehtësimi i procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm në të dyja vendet.

“Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.” – thuhet në vendim.