Çelet ekspozita "Jetë dhe lule", shqiptari i Maqedonisë së Veriut mbyll karrierën si biznesmen e i përkushtohet artit
“Jetë dhe lule” është ekspozita e parë që çel aktivitetet në qendrën kulturore të Maqedonisë së Veriut në Tiranë. Artisti, një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, ka sjellë për publikun portrete të buzëqeshura dhe lule shumëngjyrëshe. Ekspozita do të qëndroj e hapur gjatë gjithë muajit shkurt.
“Jetë dhe lule” u ekspozuan në muret qendrës kulturore të Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Portrete të buzëqeshura dhe lule shumëngjyrëshe mbushën muret e këtij ambienti.
Shqiptari i Maqedonisë së Veriut Abdurrahim Sulejmani, ose siç e njohin ndryshe Xhimi, kohën e pensionit ka vendosur t'ia dedikojë artit.
Dikur një biznesmen në fusha të ndryshme, e tani, megjithëse amator, pikturën e shikon si një formë çlodhëse.
"Ka ndikuar shumë shoqëria ime që e kam në Tiranë, por me artin e kam filluar tani dhe dua të bëj diçka. Gjithë jetën kam ëndërruar të pikturoj, të merrem me artin, me leximet dhe tani besoj se kam kohë më shumë," tha ai.
Xhimi, ka portretizuar personat më të afërt të tij, mes tyre edhe emra të njohur si Inva Mula, ministri Bledi Çuçi dhe kreu i FSHF Armando Duka.
"Janë dhe portretet njerëz të rëndësishëm që kam takuar në jetë. U desh të punoj 1 vit dhe arritëm," shtoi ai.
Drejtori i qendër kulturore të Maqedonisë së Veriut Zlatko Origjanski synon që mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të krijohen ura komunikimi për shkëmbimin e eksperiencave.
"Këtu erdha me një dashuri të madhe dhe një shpresë e dëshirë për të bërë gjëra të bukura për të dy kombet tona. Do të ketë shumë eventimente, ekspozita dhe koncerte të tjera përveç ekspozitës "Jetë dhe lule."
"Jetë dhe lule" është ekspozita e parë në këtë qendër kulturore, e cila do të qëndroj e hapur edhe për një muaj.
Të tjera aktivitete artistike dhe kulturore pritet të mbushin ambientet e qendrës në ditët në vijim.





