Mbyll zgjedhjet një tjetër shoqatë Rajonale. Në Fier, kryetar zgjidhet Ilias Haxhiraj
Teksa ndërhyrjet dhe presionet nga politika nuk ndalen, FSHF vijon proçesin e zgjedhjes së kryetarëve të rinj të Shoqatave Rajonale të Futbollit.
Kështu, këtë të enjte zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, ku është zgjedhur edhe kryetari i ri i kësaj shoqate. Në këtë mbledhje të zhvilluar në Fier morën pjesë delegatët e 15 anëtarëve të kësaj shoqate nga 23 që janë në total. Këto 15 anëtarë u përfaqësuan në Asamble me 23 delegatë.
Pas votimit u zgjodh ne krye Ilias Haxhiraj, i cili mori 23 vota. Në këtë mbledhje u miratua edhe buxheti i SHRF Fier për vitin 2022, teksa anëtarësia e shoqatës vendosi të propozojë emrin e Ilias Haxhiraj për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Në përfundim të votimit delegatët e SHRF Fier zgjodhën 4 nga 5 kandidatura të propozuara me të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së. Përfaqësuesit e zgjedhur janë Ilias Haxhiraj, Koço Kokëdhima, Fatos Sulaj dhe Robert Caushaj.
Duhet thënë që këto zgjedhje janë një betejë tjetër e fituar nga presidenti aktual Armand Duka pasi Haxhiraj mbështet kandidaturën e kreut aktual të FSHF dhe sigurisht që 4 kandidaturat e mësipërm të zgjedhur me të drejtë vote në Asamblenë Zgjedhore të FSHF janë vota për Armand Dukën./Ora News/.
