Shkëmbi: Kupa, rruga më e thjeshtë për në Europë. Kalendar jo normal

Dinamo do të kërkojë të fitojë Kupën e Shqipërisë për të siguruar një vend në kupat e Europës jo përmes kampionatit. Është trajneri Bledi Shkëmbi që pohon se Dinamo do të bëjë gjithçka në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend teksa skuadra e tij do të luajë një tjetër derbi nesër ndaj Partizanit. Ai foli edhe për një kalendar shumë të ngjeshur që i detyron të luajnë ndeshjen e tretë në pak ditë.

“Në Kupë do të na bënte mirë kualifikimi, për të shkuar në Europë, Kupa është rruga më e thjeshtë dhe më e shkurtër. Partizani është një kundërshtar shumë i fortë. Në këto skuadra që jemi ndeshur nuk mund të thuash për asnjë ekip që do të jetë e thjeshtë apo e anasjellta, por Partizani meriton respekt dhe vlerësim për atë që ka bërë dhe po bën. Jemi në të njëjtën situatë me Partizanin, duam të kualifikohemi njësoj si ata. Kjo është ndeshja e tretë që do të luajmë brenda një jave. Fizikisht e di shumë mirë që nuk do të jemi në 100%, jemi të detyruar që të bëjmë më mirë dhe po mundohemi që të rikuperojmë lojtarët. Kupa është e rëndësishme, edhe kampionati dhe kupa duhet t’i shohim me të njëjtin objektiv për të vazhduar sa më lart dhe për të fituar”.

 

Trajneri i Dinamos pohoi se janë dy çerekfinale që duhen menaxhuar mirë dhe se nuk do të jetë e lehtë ndaj Partizanit.

“Janë dy ndeshje që duhen menaxhuar shumë mirë. Është hera e parë në karrierën time që shkoj te arbitrat për të folur, ishte një faull që unë e pashë ndaj Tiranës sepse ndodhi 2 metra larg meje. Duhet të bëjmë maksimumin në këto ndeshje, duke bërë mirë, duke mos gabuar dhe të shfrytëzosh ato momente që të shfaqen. Unë jam i bindur se do të bëjmë një performancë të mirë. Do ta kërkojmë kualifikimin që në ndeshjen e parë, do ta luajmë për ta fituar ndeshjen me mundësitë që kemi. Objektivi ynë është që të jemi në lartësinë e duhur dhe të kualifikohemi pas dy ndeshjesh. Ekipi ka fituar më shumë eksperiencë dhe jam shumë optimist”, deklaroi trajneri i Dinamos./Ora News/.