'Industria' e tritolit, sulmet dhe mesazhet
Krahas hetimeve për zbulimin e shkaqeve që çuan në vendosjen e një sasie tritoli në banesën e Armando Dukës, policia e Durrësit ka nisur një hetim lidhur me sigurimin e lëndës plasëse nga i dyshuari i ngjarjes Arlen Hasanaj.
Sipas bluve të Durrësit lënda plasëse e cila ishte ndërtuar në mënyrë artizanale është blerë me një shumë të konsiderueshme.
Vetëm në 10 muajt e parë të vitit 2021 të paktën 15 shtetas janë arrestuar dhe kryesisht nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, Lezhës dhe Elbasanit.
Prej fillimit të vitit 2021 aksionet e policisë janë përqendruar kryesisht përgjatë Fushë-Krujës dhe Krujës aty ku mendohet se ka një magazinë për përpunimin e këtyre lëndëve shpërthyese.
Përbërësit e saj si kapsolla detonatore, fitil zjarr-përcjellës sipas burimeve krijohen nga persona me njohuri, të cilët pasi dorëzojnë porosinë nuk merren me shitjen e tyre, duke mos u ekspozuar kështu ndaj policisë.
Ato përdoren kryesisht për sulme me qëllim kërcënimin apo dhënien e mesazheve, jo vetëm ndaj grupeve rivale, por edhe policëve dhe zyrtarëve të drejtësisë.
Nga fillimi i vitit janë regjistruar 4 raste të vendosjes së tritolit ku në 3 prej tyre, sipas policisë, kishin si qëllim përçimin e mesazhit.
