"Kurseni energjinë dhe bëni kujdes në rrugë", Balluku me porosi për qytetarët e bizneset para acarit
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se janë marrë masa për të furnizuar me energji elektrike të gjithë familjarët dhe bizneset përgjatë javës së ardhshme, kur pritet një përkeqësim i ndjeshëm i motit me temperatura disa gradë nën zero, duke shënuar rekord, si dhe reshje bore.
Balluku nënvizoi se konsumi ditor i energjisë elektrike ka shkuar nga 14 mijë megavat orë në fillim të janarit në 24 mijë megavat orë.
Sipas saj kjo rritje me rreth 8 % përbën një presion shumë të madh mbi sistemin elektroenergjetik.
“Jemi në terren, me të gjitha kapacitetet, për t’iu përgjigjur situatës së motit në ditët në vijim, ku sipas parashikimeve pritet të ketë një përkeqësim dhe ulje të ndjeshme të temperaturave. Grupet e punës janë në gatishmëri për të garantuar që akset rrugore të jenë të hapura si dhe për të siguruar furnizim me energji elektrike. Në kaskadën e Drinit po prodhohet me kapacitet të plotë, ndërsa kemi marrë masa që të sigurojmë edhe përmes importit të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë”, deklaroi ministrja.
Të shpëtojmë Shqipërinë dhe Kombin nga Esad Toptani i Ri!
21 Janar, 19:46
Balluku tha se për shkak të motit mund të ketë avari në rrjet, por të gjithë brigadat e mirëmbajtjes janë në terren për të bërë të mundur rikthimin sa më shpejt të energjisë te çdo familje apo biznes i prekur.
Ministrja gjithashtu apeloi që të mos shpërdorojmë energjinë.
"Të kuptojmë që është një situatë e jashtëzakonshme. Qeveria ka vendosur të mbrojë të gjithë konsumatorët nga kriza energjitike kështu që së bashku duhet ti qëndrojmë këtij sulmi natyror që do të zgjasë pak ditë."
Ministrja po ashtu siguroi se janë marrë masat edhe për mbajtjen hapur të akseve rrugore, ndërsa apeloi drejtuesit e mjeteve të pajisjen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Drejtuesit e automjeteve të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor”, tha ajo.


