Ishte në kërkim për drogë, kapet në makinë me 643 gramë kanabis 40-vjeçari nga Shkodra

Ka vijuar operacioni policor i koduar "Bratoshi", i cili e ka çuar 3 numrin e të arrestuarve në Shkodër.

Kështu, efektivët e Shkodrës kanë prangosur një person të shpallur në kërkim për veprat penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Ai është prangosur duke udhëtuar në një automjet pa targa dhe në makinë i janë gjetur 643 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.    

“Kapet nga Forca e Posaçme "Shqiponja" e DVP Shkodër, një person i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Bratoshi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit: L. R., 40 vjeç, banues në fshatin Stërbeq, Malësi e Madhe.” – njofton policia.

L. R. dyshohet se ka qenë duke udhëtuar në një automjet pa targa, me shtetasit Xh. Z. dhe A. R., të cilët janë arrestuar në flagrancë nga Policia, më 18.01.2022.

Pas ndalimit të këtij mjeti, shërbimet e Policisë gjetën 643.2 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.    

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.