Bullgaria ‘dashurohet’ me Kovaçevskin / Gazetarja i dhuroi mollë të kuqe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut

Me këtë gjest që nënkupton shprehjen e dashurisë ndaj një personi në Trakinë e vjetër, ka përfunduar takimi mes kryeministrit bullgar, Kiril Petkov dhe atij maqedonas Dimitar Kovaçevski.

Petkov ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shkup, të cilën e ka finalizuar përmes një konference për medie me homologun e tij, ku sqaruan diskutimet që patën në takimin tet-a-tet.

Kryeministri Petkov deklaroi se identiteti dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut janë zgjidhur qartë në Marrëveshjen e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë në vitin 2017 mes Zaev dhe Borisov.

Pektkov: Në Marrëveshjen tonë të 2017, kemi një përkufizim shumë të qartë të gjuhës. Bullgaria e respekton dhe ne jemi vërtet shumë krenarë që ishim vendi i parë që njohëm Maqedoninë e Veriut dhe ne i respektojmë të drejtat e qytetarëve për të folur atë që duan vetë. Ajo që arritëm në takimin tonë të parë tregon se kemi vendosur të kemi fqinjësi të mirë.

Edhe Kovaçevski dha një lajm të mirë për qytetarët për një nga çështjet e kontestuara të Bullgarisë, atë të emrit.

Kovaçevski: Bullgaria nuk do të pengojë më përdorimin e emrit të shkurtër dhe për këtë ka informuar OKB-në. Tani bullgarët do të mund ta përdorin lirisht emrin Maqedonia e Veriut, e jo gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me çështje të tjera konkrete që do të çojnë edhe më tej përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, palët vendosën që të mbahen takime të përjavshme mes dy qeverive, duke filluar që nga 25 janari.

Kryeministri Petkov njoftoi edhe hapjen e linjës ajrore Shkup-Sofje brenda 2 muajve, e cila do të përmirësonte sipas tij lëvizjen mes qytetarëve fqinj.