‘Shqiptari’ sfidon politikën malazeze, Abazoviç: Koalicion pakice, pa pro serbët dhe Gjukanoviç

Koalicioni "Bardh e Zi" në Mal të Zi i udhëhequr nga zv.kryeministri, Dritan Abazoviç, nga Lëvizja qytetare "Ura" propozoi një qeveri pakice si model për tejkalimin e krizës politike në vend.

Abazoviç tha në një konferencë për mediet, se deputetët malazezë duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës duke përjashtuar dy partitë më të mëdha në vend për  të zhbllokuar rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.

Abazoviç: Ne ofrojmë një zgjidhje të mundshme, por nuk e imponojmë. Është koha që të zhbllokohet rruga për në BE. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhja e vetme.

Koalicioni ‘Bardh e zi’ kërkon që partia e presidentit Milo Gjukanovic dhe ajo pro serbe, Fronti demokratik të mos jetë në kabinetin qeverisës.

Propozimi për krijimin e një qeverie të pakicës ishte bërë një vit me parë nga lideri i partisë opozitare Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe qëllimi i tyre ishte që Abazoviç të zgjidhej kryeministër.

Një qeveri të pakicës e mbështeti nën zë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Ballkan, Gabriel Eskobar.

Diplomati gjatë një interviste për zërin e amerikës në Serbi, tha të hënën se SHBA-të nuk mund të ishin partnere të partisë pro serbe Fronti Demokratik.

Qeveria aktuale e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave nga strukturat e shumicës qeveritare.