Kërcimi ‘Zumba’, Instruktorja Xhulia Meçaj: Më ka ndryshuar, më ka socializuar. Efektet pozitive që sjell

Në studion e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV Ora ditën e sotme ishin të ftuar Emilia Grabska, praktikuese e kërcimit ‘Zumba’ dhe Xhulia Meçaj, instruktore prej 9 vitesh e këtij kërcimi. Ata rrëfyen eksperiencat e tyre në këtë kërcim, si dhe përfitimet që sjell.

Xhulja Meçaj u shpreh se  kishte studiuar për financë, por nuk e gjente veten aty dhe dashuria e pasioni për kërcimin ka qenë e hershme, derisa tashmë prej 9 vitesh kërcimi është kthyer në punë për të.

 “Në fillim se dija çfarë është, mendova mos është ndonjë kërcim afrikan, më pas kam shkuar në kurs, dhe nga ai moment e deri më sot nuk jam ndalur. Unë kam studiuar për financë, por aty se gjeja dot veten. Dhe 21 vjeç kam hap sallën time të kërcimit, ishte një ambient i vogël, por ndihesha mirë. Kam hapur sallën time në qytetin e Durrësit, tani jam instruktore. Në fillim ka qenë e vështirë, por njerëzit të mbyllur në mentalitet. Tashmë pjesëmarrja është më e madhe, falë këmbënguljes kam arritur që ndër vite t’a transmetoj edhe tek të tjerët”, u shpreh Meçaj.

Gjatë diskutimit në studio ajo u ndal në efektet pozitive që sjell aplikimi i këtij kërcimi për trupin tonë.

“Efektin që sjell kërcimi zumba është tonifikimi, pra trupi i njeriut ndihet i lehtë, përfitimi tjetër është që të jep forma më të rregullta trupore. Ndërsa, nga ana psikologjike është një terapi në vete, të jep motivim, pozitivitet,” u shpreh Meçaj.

Më tej ajo u ndal në disa këshilla se kur duhet të kërcejmë zumba, dhe çfarë duhet të kemi parasysh.

“Duhet të kesh ngrënë dy orë më parë, përpara se të kërcesh, hidratimi përpara është shumë i rëndësishëm, si dhe veshja duhet të jetë sa më komode. Jam tërhequr për një vit kam qenë pak pasive, por realisht nuk e gjeta vetveten, edhe vendosa që kjo është ajo çfarë dua. E ndjeja sikur po punoja, por jo që isha në punë”, tha ndër të tjera ajo.

Ndërsa, Emilia Grabska praktikuese e Zumbës u shpreh se: Eksperienca ime në Zumba është shumë e mirë, aty është vendi ku unë gjej veten”.