Miting dhe kundërmiting, mbështetësit e Berishës e ndjekin këmba këmbës Bashën
Vijon të mbetet e tensionuar marrëdhënia mes demokratëve të ndarë tashmë në dy kampe, pro Basha dhe pro Berisha.
Kreu i PD-së u prit mes ovacioneve mbështetëse të përkrahësve të tij dhe protestave nga mbështetës të Berishës teksa futej në një takim me strukturat në një nga hotelet e kryeqytetit.
Fatmir Merkoçi, i cili u la jashtë takimit, akuzoi Bashën se po shkatërron PD. Për mediat ai tha se nga deputeti Gështenja ju bë me dije se kanë takim vetëm me njerëzit e tyre.
Merkoçi: Ky është ai fytyra që do ta mbajë me dhunë demokracinë. Nuk lejon fjalën e lirë, kur humb fjala e lirë ka humbur gjithçka. E patë shumë mirë mënyrën e sjelljes, ka marrë ata njerëz që do ti marrë, ka marrë ata njerëz që e duatrokasin kur vete ata njerëz që nuk i kanë dhënë asgjë PD dhe pengohen njerëzit, pengohen demokratët që kanë luftuar gjithë kohën, kanë 30 vjet që rrinë shesheve dhe kur vjen puna janë të penguar.
Ky nuk është takim që mund të bëjë Lulzim Basha por një show me të cilin kërkon tu hedhë syve gjithë shqiptarëve për tu thënë që unë bëj takime me demokratë. Brenda nuk janë demokratët por badigardët e vet, deputeti Gështenja i cili pa pikën e turpit, ka ardhur me votat e këtyre, i kanë bërë fushatën, thotë se ne kemi takim vetëm me njerëzit tanë. Unë Fatmir Merkoçi e kam nisur me 8 dhjetor me 10 vetë dhe sot më del një misionar që ka ardhur me mision për të shkatërruar dhe prishur opozitën shqiptare dhe kryesisht PD, ky është Lulzim Basha.
Me deklaratat e tij nuk ishte dakord ky i moshuar, mbështetës i Bashës.
"Shihni Edi Ramën, mos shih Lulzim Bashën. Bëhuni grumbull atje. Është turp. Shko mor burrë. Shih se e ke kundërshtarin. Antimitingje bëheshin në kohën e komunizmit. Turp! Çfarë bëni kështu?"
Kundërpërgjigje mori nga një zonjë, mbështetëse e Berishës.
"Basha ik, Basha shporru!"





