Asnjë vrasje në Berat në 2021, Gledis Nano: Parandaloni veprimtaritë e tjera kriminale!
Berati është qarku i vetëm ku përgjatë vitit 2021 nuk u shënua asnjë vrasje. Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duke e vlerësuar punën e uniformave blu kërkoi rritjen e forcës goditëse edhe ndaj veprimtarive të tjera kriminale.
Fakti që Berati e mbylli vitin 2021 pa vrasje është vlerësuar si sukses nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Nano: Fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie në lidhje me këto vepra të rënda penale të cilat janë një indikator shumë domethënës për sigurinë publike të gjithë qytetarëve.
Ai kërkoi që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të rrisin forcën goditëse dhe parandaluese ndaj të gjitha veprimtarive kriminale.
Nano: Ajo që duhet të synojmë gjatë vitit 2022 është të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat.
Kryeprorurori i Beratit, Dritan Gripshi, zbuloi se çështjet e drogës dhe krimet financiare kanë zënë peshën më të madhe të kriminalitetit në vitin që lamë pas.
Gripshi: Interes të veçantë u kemi kushtuar atyre çështjeve që kanë të bëjnë me veprat penale në sferën e krimit ekonomik, sepse ato kanë qenë më të dukshme dhe frytet e tyre janë ndjerë edhe kohët e fundit.
Kultivimi i bimëve narkotike, kryesisht në zonat e thella të Beratit, mbetet një prej sfidave të policisë lokale atje.

