Mundi i 25 viteve dhe 4 kurorë pa çati, familja te "5 Maji" e vendosur për të mbrojtur shtëpinë nga shembja
E mërkura e 19 janarit është parashikuar si afati i fundit për shembjen e tri shtëpive në zonën e "5 Majit" në kryeqytet për ti hapur rrugë projektit të Bashkisë për rindërtimin. Edhe pse janë lajmëruar një javë më parë, banorët nuk i kanë larguar orenditë. Ata thonë se do ta mbrojnë me jetë pronën e tyre e do t`i përgjigjen me çdo mjet atyre që do të tentojnë ta cënojnë.
Kjo shtëpi, ende e pa përfunduar, është gjithë pasuria e familjes Marku.
Erdhën në Tiranë nga Rubiku 25 vite më parë dhe ngritën në tokën e blerë një ndërtesë ku sot jetojnë 4 kurorë, me gjithsej 13 anëtarë.
Kryefamiljarët janë njoftuar para 1 jave se duhet të dalin nga shtëpia pasi në datën 19 janar ajo do të shembet për t`i hapur rrugë projektit të rindërtimit në zonën e "5 Majit".
"Dilni në shtëpi me qera thotë. Si të dal unë pa pas borxh dhe nevojë, jam në shtëpi timen."
"Jam i vendosur që nuk dal nga shtëpia, i gjallë jo."
Pavarësisht ultimatumit, familja Marku nuk ka larguar asnjë orendi.
Janë të vendosur të mbrojnë pronën dhe të mërkurën paralajmërojnë rezistencë ndaj atyre që do ua cënojnë atë.
"Kjo është mbrojtje e pronës."
Banesat e tri familjeve parashikohet të shemben më 19 janar. Marrëveshjen e Bashkisë Tiranë e kanë refuzuar pasi e konsiderojnë të njëanshme.
"Unë në shtëpi timen të paguaj lekë nga xhepi që të marr shtëpi me qera."
"Nuk lejojmë të prishen shtëpitë tona pa marrëveshje me Bashkinë, qoftë dhe me përplasje fizike".
"Përsonalisht jam me dokumente pronësie, le ti afrohet shtëpisë time Erion Veliaj!"
Në zonën e "5 Majit", në njësinë administrative 4 deri tani janë shembur 12 shtëpi.
Pavarësisht protestave, Bashkia dhe Qeveria nuk janë tërhequr nga projekti i tyre për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti i dy viteve më parë.

