"Nuk heqim dorë nga Evropa", Rama: Shqiptarët kanë zhgënjime me Brukselin, ne po kërkojmë një martesë të re
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për "Financial Times" u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të refuzojnë propozimet e fuqive të jashtme dhe të mbajnë besimin në ëndrrën e anëtarësimit në BE.
Edi Rama tha se Shqipëria “nuk do të heqë dorë kurrë nga Evropa dhe BE-ja, cilado qoftë forma e BE-së në të ardhmen.”
Duke folur për Financial Times, ai pranoi se pritja ishte zhgënjyese.
Nga “gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”, Shqipëria së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë kandidatë për t'u anëtarësuar në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja janë kandidate potenciale.
Sipas Ramës, llogaritjet politike të anëtarëve të BE-së kanë luajtur gjithashtu një rol në vonesat e 18 viteve të fundit që kur blloku u zotua t’i lejonte të hynin pasi të kishin përmbushur kriteret.
“Shqiptarët kanë zhgënjimet e tyre me Brukselin, por kjo nuk e ndryshon bindjen se ne duhet të jemi atje,” tha ai.
“Ne i kemi konsumuar të gjitha historitë e dashurisë më parë dhe martesat,” shtoi ai.
“Ne po kërkojmë një martesë të re. Por sigurisht, kjo lloj martese është e vështirë.”
Rama, në mandatin e tij të tretë, ka promovuar idenë e një tregu të përbashkët rajonal për të cilin ranë dakord të gjashtë vendet në nëntor 2020.
Në përpjekje për të përshpejtuar procesin, Shqipëria, së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nënshkruan për të zbatuar disa nga dispozitat.
“Nëse e bëjmë këtë në Ballkan, ky do të jetë frenuesi më i mirë kundër marrëzisë dhe nëse nuk e bëjmë, askush nuk do ta bëjë për ne.”
Ai pranoi se tre të tjerët ishin ngurrues.
“Boshnjakët, sepse nuk mund të vendosin për asgjë, me sa duket, malazezët sepse janë ende në iluzionin se mund të hyjnë në BE vitin e ardhshëm, dhe çdo vit tjetër bëhet viti i ardhshëm. . . Kosova për shkak të problemeve me Serbinë, të cilat mendoj se mund të trajtohen më mirë kur njerëzit të ulen dhe të bisedojnë.”
Për sa i përket Shqipërisë, e cila në 30 vitet e fundit ka kaluar një tranzicion të dhimbshëm për të rindërtuar ekonominë e saj pas përfundimit të regjimit të saj të rreptë komunist, ai tha se “mund të jetë një vend ku njerëzit mund të shijojnë jetën.

