Erdogan nesër në Tiranë, Bytyçi: E paprecedentë që nuk do takoj Metën. Mund të ketë ‘gisht’ Rama

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan do të mbërrijë nesër në Tiranë dhe do të qëndrojë për më shumë se 10 orë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, analisti Enver Bytyçi shprehet se vizita e Erdogan është shumë e rëndësishme, ndërsa shton se ky i fundit nuk e ka vizituar vendin tonë që prej 14 vitesh.

Enver Bytyçi: Mendoj se në mungesë të vizitave të tjera prej kohësh, vizita e Erdogan është një vizitë e rëndësishme. Vjen nga një vend aleat i Shqipërisë. Është një vizitë që kryhet pas shumë vitesh që Erdogan nuk ka qenë në Shqipëri. Ai nuk ka qenë që prej 14 vitesh në vendin tonë.

Bytyçi e ka cilësuar si të çuditshëm, faktin që Presidenti i Turqisë do të vijë në vendin tonë dhe nuk do të takohet me kreun e shtetit Ilir Meta. Ai tha se nuk dihet nëse ia ka kërkuar Rama, apo vetë Erdogan nuk dëshiron që ta takojë Presidentin e vendit tonë. 

Enver Bytyçi: Rama çdo qasje të Turqisë në Shqipëri e ka paraqitur si një sukses të qeverisjes së tij dhe Erdogan ia ka dhënë këtë mundësi. Është një lidhje gati individuale midis dy liderëve politik të Shqipërisë. Erdogan përveç takimit që do i bëj kryeministri i Shqipërisë nuk do të ketë takime dhe biseda me autoritete të tjera shqiptare. Është në fakt e çuditshme se si një vend i një vendi tjetër vjen në Shqipëri dhe nuk takon presidentin e vendit që viziton. Është e paprecedentë. Nuk dihet në Rama i ka kërkuar që Erdogan të vij në Shqipëri dhe të mos takoj Metën, apo Erdogan nuk dëshiron që të takojë Metën. Kjo është për t’u parë. Ky është një fenomen i panatyrshëm dhe jashtë çdo lloj protokolli qeveritar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ndër të tjera ai tha se marrëdhëniet në dekadën e fundit mes Shqipërisë dhe Turqisë, janë më së shumti marrëdhënie mes lidershipit se sa mes dy vendeve.  

Përgatiti Anila Kolgjini.