"E kanë mendjen te kafja dhe rakia" A bëjnë burrat shqiptarë punë shtëpie? Qytetari:Nuk është turp të ndihmosh gruan, është respekt
Sa "perëndimorë" janë burrat shqiptarë? A i ndihmojnë bashkëshortet, nënat, motrat në punët e shtëpisë?
Kjo ishte tema e rubrikës "Vox Pop" me Enkin në emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora.
Me sa duket shqiptarët e kanë të vështirë të pranojnë para kamerave se bëjnë punë shtëpie, megjithatë një pjesë e konsiderueshme u shprehën se punët e shtëpisë nuk janë turp dhe se kontributi në punët e shtëpisë duhet të jetë njësoj si nga gratë ashtu edhe nga burrat.
Përgjigjet e qytetarëve:
"Punë shtëpie nuk bëj. Punoj kamarier. Në shtëpi jetoj me vëllanë dhe nusen e vëllait. Punët i bën nusja e tim vëllai. I kemi hyrë në hak, por çfarë të bëjmë. Zor na vjen që nuk bëjmë punë. I them më fal që nuk i bëj dot. Vëllai e ndihmon nga pak me punët e shtëpisë. Me këto që thamë do mbetem pa nuse, se do mendojë që nuk bëj punë shtëpie."
"Po, laj pjata. Më pëlqen të gatuaj, më shumë më pëlqen kuzhina italiane"
"Të gatuash në shtëpi është puna më e thjeshtë, të ndihmosh bashkëshorten është puna më e bukur."
"Kur u zura me gruan para pak ditësh i bëra punët e shtëpisë që të pajtoheshim."
"Në fillim të lidhjes bëjnë si të mirë dhe bëjnë punë shtëpie."
"Kam 23 vite martesë dhe asnjë ditë bashkëshorti nuk ka bërë asnjë punë, sepse ai punon ndërsa unë rri në shtëpi."
"Ku punojnë burrat shqiptarë, e kanë mendjen vetëm për kafe e raki."
"Nuk është turp të ndihmosh bashkëshorten në punët e shtëpisë, është respekt."
"Jetoj vetëm, i bëj vetë punët."
"Jo, nuk bëj punë shtëpie."
"Normale që po, jetoj me vëllanë, kushëririn. Unë bëj pastrimin, kushëriri lan pjatat."
"Dashur pa dashur bëjnë punë, sepse i rreh gruaja."