Nuk ka qetësi për Djokoviç, Australia i anulon për herë të dytë vizën

Mund ta quajmë fundin e sagës për Novak Djokoviç. Pas shumë analizash, mendimesh dhe polemikash, Australia i tregon sërish derën numrit 1 të tenisit në botë duke i anuluar vizën për të qëndruar në këtë vend për të luajtur Grand Slamin e parë të sezonit.

Ministri Australian i Emigracionit, Alex Hawke pas një reflektimi prej 96 orësh njoftoi në një deklaratë të fundit se i ka anuluar vizën Novak Djokoviç dhe pjesëmarrja e serbit në Australian Open që fillon të hënën është në rrezik. Ai mund të apelojë vendimin por ndoshta koha nuk do të jetë e mjaftueshme.


Rreth orës 18:00 me orën Australiane të premten. Ministri i Emigracionit Alex Hawke ka vendosur të ushtrojë fuqinë e tij personale për të anuluar vizën e tenistit serb ku njoftoi përmes një deklarate.

“Në marrjen e këtij vendimi, kam shqyrtuar me kujdes informacionin e dhënë nga Ministria e Brendshme, Forca Kufitare Australiane dhe zoti Djokovic. Qeveria Morrison është fuqimisht e përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e Australisë, veçanërisht në lidhje me pandeminë Covid-19”, shpjegoi ministri i Emigracionit në deklaratën e tij./Ora News/