Abuzime me bukën e të burgosurve, dështon Agjencia e Blerjeve, ushqimet me tendera pa garë
Tjetër skandal zbulohet në burgje. Autoritetet kanë kryer abuzime edhe me fondet për ushqimet e të dënuarve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Agjencia e Blerjeve ka dështuar me procedurat e tenderave e për pasojë ato janë zhvilluar pa garë nga Drejtoria e Burgjeve. Ato kapin vlerën e 155.3 milionë lekëve.
Pas skandalit me barnat e skaduara, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje të tjera në Drejtorinë e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas raportit zyrtar, 85% e procedurave tenderuese nga ky institucion janë zhvilluar pa garë.
Referuar dokumentit, gjatë vitit 2020, Drejtoria e Burgjeve ka zhvilluar 16 tendera me vlerë totale 182.3 milionë lekë, nga të cilat 6 procedura janë me negocim pa shpallje dhe kapin koston e 155.3 milionë lekëve.
Të gjitha procedurat me negocim pa shpallje janë realizuar për furnizimin me produkte ushqimore për të burgosurit.
Auditimi ka zbuluar se Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara ka dështuar në realizimin e këtyre procedurave, të cilat rezulton se janë kryer nga vetë Drejtoria e Burgjeve në kushte të përshpejtuara.
Ndërkohë, në dokumentin zyrtar thuhet se grupet e punës të Drejtorisë së Burgjeve kanë evidentuar gjithashtu se çmimet e Agjensisë së Blerjeve të Përqëndruara, kanë rezultuar më të larta se çmimet e tregut apo se çmimet e publikuara nga INSTAT.
Ky fakt tregon se Agjencia e Blerjeve të Përqendruara nuk i përmbahet parimit të ekonomicitetit dhe efektivitetit në kryerjen e procedurave të prokurimit publik.
Një tjetër problematikë e konstatuar nga KLSH lidhet me mosplanifikimin nga ana e Drejtorisë së Burgjeve të një strukture monitoruese për zbatimin e kontratave.
Kjo ka sjellë një dëm prej 2.3 milionë lekësh, të cilat rezultojnë të jenë shpenzuar pa efiktivitet.
Gjithashtu evidentohet se për 5 tendera me vlerë totale 127.6 milionë lekë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur fitues kompani të cilat nuk kanë plotësuar kriteret.

