Euro dhe dollari vijojnë rënien, paundi me vlerën më të lartë në treg

Tregu valutor vijon të ndjekë linjën e një viti më parë, ku monedha europiane dhe ajo amerikane kanë vijuar rënien, ndërsa kryeson paundi. Qytetarët shqiptarë që këmbejnë euro këtë fillim viti do të marrin më pak lekë në krahasim me një vit më parë. Kjo pasi gjatë vitit që lamë pas monedha euro ka pësuar një zhvlerësim. Nëse në fillim të janarit të vitit 2021 një euro këmbehej me 123.6 lekë, në fund të vitit ajo është me 120.7 lekë.

Rënia e monedhës së eurozonës ka ardhur gradualisht gjatë gjithë vitit, por u theksua ndjeshëm në fund të muajit korrik dhe gjatë gjithë sezonit veror duke arritur kulmin më 28 dhjetor ku 1 euro u këmbye me 120.3 lekë. Situata paraqitet e njëjtë edhe në ditë e para të vitit 2022 ku agjencitë e këmbimit valutor kanë ulur edhe më tej kursin e euros, nga 120.7 lekë që ishte më 31 dhjetor në 120.3 dhe në disa pika këmbehet edhe me 118.4 lekë.

Dita më e mirë e euros për vitin që lamë pas është regjistruar me 7 janar, ku një euro është këmbyer me 123.8 lekë. Ecuria e këmbimit të monedhës së eurozonës këtë vit është e vështirë për t’u parashikuar. Ndërkohë nga ana e Bankës së Shqipërisë nuk kemi ende vlerat zyrtare të këmbimit për këtë vit.

Edhe monedha amerikane ka regjistruar një rënie në agjencitë e këmbimit. Sot një dollar këmbehet me 104 nga 105.9 lekë që ishte ditën e fundit të vitit 2021. Ndërsa paundi britanik dhe franga zvicerane kanë një rritje të lehtë.