KLSH auditim për Bashkinë Lushnje, evidenton shkelje në 3 kontrata me vlerë 446 milionë lekë

Pas tenderit abuziv për rehabilitimin e kanalit ujitës me vlerë 24 milionë lekë, i cili çoi në burg kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje të tjera në procedura të ndryshme prokurimi në këtë qytet.

Nga viti 2018 deri në vitin 2020 rezulton se për të paktën 3 kontrata janë evidentuar shkelje në zbatimin e punimeve.

‘Rikonstruksioni i shkollës së mesme të bashkuar 10 Korriku dhe ambienteve sportive, Dushk’ me vlerë 97 milionë lekë, i fituar nga bashkimi i operatorëve SENKA SHPK - ENGLAND SHPK me pronarë Ergys Senkën, Ervis Toskën dhe Rasim Dacin konstatohet se ka punime të pakryera në vlerën e 781.350 lekëve.

E njëjta situatë është konstatuar dhe në asfaltimin e rrugëve në fshatin Toshkëz dhe Konjat. Sipas KLSH procedurat-punim nuk janë kryer sipas kontratës.

Kompanitë fituese Llazo shpk dhe Beqiri shpk me pronarë përkatës Aldi Llazin, Rexhep Koçin dhe Neim Beqirajn nuk kanë kryer punimet e parashikuar në kontratë me vlerë rreth 300 mijë lekë.

Pavarësisht kësaj bashkia ka marrë në dorëzim punimet dhe ka kryer pagesat.

KLSH ka zbuluar se nga auditimi i procedurave me vlerë të lartë, janë konstatuar shkelje në aplikimin e kritereve, të cilat rezultojnë nuk janë në përputhje me zërat e preventivit.

Në dokumentin zyrtar thuhet se në procesverbalet e procedurave të zhvilluara nuk janë argumentuar kërkesat në lidhje me kategoritë e licencave, numrin e punonjësve dhe kategoritë e punësimit, numrin dhe llojin e mjeteve. Të gjitha këto mangësi janë konstatuar në 15 raste me vlerë kontrate 446 milionë lekë.

Nga ana e Bashkisë nuk është depozituar asnjë padi për personat përgjegjës, të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e përcaktuara në kontrata.